Mirënjohje përjetë z.Scaglione!
I është gjëndur shumë familjeve shqiptare në ditë të vështira. I është afruar skamjes institucionale të viteve të para pas komunizimit me shumë bujari. Ka mbështetur me të gjitha mënyrat njerzit në nevojë dhe në vështirësi duke u dhënë shpresë dhe besim. U tregoi të gjithëve atyre që takoi se dramat e rënda kalohen duke u mbështur tek njëri-tjetri e duke patur besim në zot.
I tillë do të mbahet mend dhe do të kujtohet themeluesi i Fondacionit Fëmijët Shqiptarë Domenick Scaglione, portreti i të cilit sot është skalitur mbi këtë piedestal në hyrje të Qendrës Rajonale për Autizmin në Farkë, aty ku ai provoi edhe emocionet më të forta të kënaqësisë dhe gëzimit kur e pa të përfundur si vepër.
Atë ditë ai u shpreh: “Mund t’ju them vetëm se jam thellësisht i prekur nga prezenca , kontributi dhe interesi juaj që keni shfaqur në këtë mision të mrekullueshem, i cili nuk është përmbushur vetëm nga donacionet dhe interesimet e secilit prej jush këtu dhe të tjerëve që nuk janeë prezent, por veçanërisht si rezultat i përkushtimit të zemrës së madhe të një zonje , dedikimi i së cilës nuk ka kopje, pasi jeta e saj është e tëra në funksion të mirëqënies së fëmijëve, dhe kjo është zonja Liri Berisha.Nuk duhet të harrojmë se kemi vetëm një jetë për të jetuar dhe në këtë jetë duhet lënë diçka prapa”
Arti rrenjos përjetësisht vlera dhe vlerat përcillen përgjithmonë ndër breza. Me këtë filozofi u përurua në një ceremoni shumë të ndjerë e modeste, përmendorja e Domenikut, ku Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptar Dr.Liri Berisha përcolli mes bashkëpuntorëve, miqve dhe dashamirësve të ftuar, mirënjohjejen dhe rrespektin për misionin që ai themeloi dhe kontributin e jashtëzakonshëm që dha përmbi një dekadë në Shqipëri duke promovuar vlera të jashtëzakonshme humanizmi dhe bamirësie.
“Më shumë se nga çdo gjë ai do të mbahet mend dhe do të nderohet sepse influencoi në ngritjen e një mentaliteti të ri pune dhe ndihme, një mentalitet i cili nuk ishte aplikuar ndonjëherë në Shqipëri dhe dha rezultate.Filloi të bëhej arkitekti i aktiviteteve dhe inisiativave të cilat dhanë rezultate pozitive.Një nga keto rezultate është edhe vetë Fondacioni Fëmijët Shqiptarë”- u shpreh Dr.Liri Berisha.
Miq të ngushtë, miq të rastësishëm, bashkëpuntor e dashamirës përcollën në këtë takim promovues të bustit të tij kujtime dhe mbresa të jashtëzakonshme.
Një nga ish studentët që ka përfituar nga programi i lidershipit “Lead Albania”, mbështetur nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, ku ai ishte kryetar dhe anëtar bordi, për formimin e tij profesional Admir Malaj e kujton Domenikun si njeriun që me vendimet e tij ka prekur të ardhmen e shumë të rinjve shqiptare.
“Z.Domenick Scaglione si kryetar dhe si anëtar i i bordit ka marrë shume vendime të mira, që më kanë prekur mua personalisht por dhe të rinj të tjerë shqiptarë. Ai ka ndikuar që këtu të krijohen programe leadershipi, të ketë bursa studimi dhe shumë mundësi të tjera për të rinjtë dhe nga eksperienca personale mund të them që ai ishte shumë i lumtur për këtë” –u shpreh Admir Malaj
Elizabeta Gjoni dhe Genc Boga , antare bordi te Fondacionit Femijet Shqiptare, e kane takuar shume shpesh Domenickun dhe me te kane ndare jo vetem biseda pune por edhe shume mendime te vyera per jeten.
“Domeniku mendonte që grumbullimi I njerëzve me vullnetin, me deshirën , me parimin që kush ka një jetë gjeneroze të ndaje diçka me të tjerët, organizmi i tyre ishte ajo që e dallonte Domenikun nga të tjerët”- u shpreh z. Genc Boga
“Domeniku na mesoi se si bamirësinë ta ngremë në një institucion.Ne në fakt e kemi bamirësinë si kulture, e kemi si individ, si biznes, apo edhe si familje që të ndajmë me njerëzit e tjerë në ditë të zakonshme diçka, por këtë ne e bëjmë në mënyrë sporadike. Domeniku na mësoi se si ta ngremë në institucion dhe kështu të bësh vepra të mëdha”- u shpreh znj. Elizabeta Gjoni.
Ish drejtori i Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” z.Halim Kosova do t’ja dijë për nder gjithmonë Domenikut që falë vëmëndjes dhe vizionit të tij, laboratori genetik u pajis me aparatura për diagnostikimin e hershëm të sëmundjes së talasemisë që në këtë jetë të mos vinin më foshnja me këtë sëmundje.
“Unë do ta përkufizoja si një njeri që varfëria e tejskajshme e tij në fëmijëri e ktheu në një bamirës shumë të madh për njerëzit në nevojë për pjesën tjetër të jetës së tij .Te gjitha mësimet që ai kaloi në kurrizin e tij i ktheu në forcë për të ndihmuar njerzit në nevojë”- u shpreh z.Halim Kosova
Tritash Shehu, ish minister por edhe mjek e politikan i rëndësishëm, e vlerëson figurën dhe kontributin e Skagliones me vlera të jashtëzakonshme
“Gjithmonë ka qënë i njëjtë, i qeshur, i afërt, i përzemërt, i thjeshtë, bashkëpunues, ndihmues edhe ne momentet tona më të vështira.Kështu ka qënë gjithmonë pranë njerëzve që kishin problem”- u shpreh z.Tritan Shehu
Kujtime të vecanta solli edhe Lauresha Basha, përkthyesja dhe bashkëpuntorja qe e asistoi Domenikun në takimet e rëndësishme të punës që ai zhvilloi në Shqipëri.
“Të gjithë ne që filluam punë në Bankën Amerikane, mësuam në rradhë të parë prej tij, integritetin si parimin kryesor që duhej të na udhëhiqte në punën tonë. E kam njohur pastaj si filantrop dhe forca e tij përveç asaj që mobilizonte të gjithë njerëzit, ai na mësoi edhe ne, që ndonëse njeriu jo gjihtmonë ka para mjaftueshëm mund t’i dedikojë të tjerëve kohën e tij”- u shpreh znj.Lauersha Basha
Në fund, një mesash erdhi edhe nga autori i bustit, z.Isa Baliaj, I cili e quajti veten të nderuar që skaliti portretin e një njeriu të rrallë si Domenicku
Të gjithë miqtë dhe dashamirësit e Domenikut u përmallën në fund të takimit me një dokumentar historik kushtuar punës dhe kontributit që ai ja kushtoi Shqipërise për gati 15 vite, ku shumë mesazhe dhe thënie te tij u rikujtuan të gjithëve se jeta merr vlera kur ja dedikon të tjerëve!