100 milion njerëz vuajnë sot nga çrregullimi i spektrit autik.

SHBA – Mbahet takimi i 8-te vjetor i Fokusit Global mbi Autizmin.

Me rastin e 70 -të vjetorit të themelimit të Asamblesë së Pëgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe takimit të 8-të vjetor të Fokusit Global të Autizmit , Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptar , Dr.Liri Berisha, ishte e ftuar nderi nga bashkëshortja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Znj. Ban Ki – moon si dhe bashkëthemeluesit e Organizatës Ndërkombëtare “Autism Speak”, Bob dhe Suzanne Wright.

Në këtë takim ku u mblodhën bashkëshortet e para dhe personalitete nga e gjithë Amerika e Veriut, Azia, Afrika, Amerika Latine, Europa dhe Lindja e Mesme, u diskutua se si të rritet më shumë ndërgjegjësimi mbi autizmin dhe përmirësohen shërbimet ndaj personave të prekur nga ky fenomen.

Kombet pjesëmarrëse diskutuan pyetjet e vashdueshme që dalin për autizmin dhe se si të gjithë së bashku duhet të ndjekim përgjigjet e shekullit të 21-të. Gjatë takimit , Fondacioni Fëmijët Shqiptarë ishte në fokusin e çdo prezantimi përmes pamjeve filmike të aktiviteteve të zhvilluara ndër vite në Shqipëri në lidhje e këtë kauzë.

Bashkëthemeluesja e Organizatës Ndërkombëtare “Autism Speaks” Suzanne Wright, gjatë fjalës së saj të rastit tha:- ” Autizmi éshtë tashmë një çështje dinamike. Komuniteti i personave me autizëm vashdon të rritet me përmasa të frikshme. Kështu sot popullata e këtij komuniteti numëron 100 milion njerëz që vuajnë nga çrregullimi i spektrit autik. Ajo që është e domosdoshme sot, është të bashkohemi dhe të ndajmë vizionet që kemi dhe ta kthejmë çdo ditë në ditët e Fokusit Global për Autizmin”

Takimi u dha mundësinë e rrallë personaliteteve pjesëmarrëse të flasin dhe ndajnë me njëri – tjetrin gjëndjen e autizmit në vendet e tyre.

Në këtë takim të 8-të vjetor, Organizata “Autism Speaks” prezantoi çmimin e tretë “Bob & Suzanne Wirght” për Arritjet Ndërkombëtare mbi Autizmin, që këtë vit shkoi për Dr. Shekhar Saxena, Drejtor i Departamentit të Shëndetit Mendor dhe Drogave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë. Për të nderuar marrësin e tretë të këtij çmimi, Bob dhe Suzanne Wright, ftuan bashkëshorten e Z. Ban Ki-moon , Znj. Ban Soon-taek dhe Znj. Liri Berisha për të qënë prezent në dhënien e këtij çmimi si dhe për një foto të pëbashkët. Kujtojmë se çmimin e dytë vjetor për Arritjet Ndërkombëtare mbi Autizmin “Bob & Suzanne Wright”, e ka marrë vitin e kaluar Dr. Liri Berisha.

Një pritje e përzemërt për themeluesin e Fondacionit z.Scaglione.

Në kuadër të 20 vjetorit të themelimit , Fondacioni Fëmijët Shqiptarë organizoi një Pritje Mirënjohjeje në nderim të thmeluesit të këtij fondacioni, Z. Domenick Scaglione .

Kjo pritje u mbajt në rrespekt të kontributit dhe vlerave humane që themeluesi dhe arkitekti i Fondacionit Fëmijët Shqiptarë Z. Domenick Scaglione, ka përkushtuar këto 20 vite në drejtim të shëndetit dhe mirëqënies së fëmijëve shqiptarë duke dëshmuar inkurajim të jashtëzakonshëm jo vetëm për familjet e tyre por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare.

Në këtë event ku morën pjesë miq , bashkëpuntorë , donatorë të Fondacionit si dhe prindër, Presidentja e Fondacionit, Dr. Liri Berisha, në përshëndetjen dedikuar kësaj figure shprehu mirënjohjen e thellë dhe nderimin më të veçantë përjetuar ndonjëherë, për kontributin dhe humanizimin e z.Scaglione.

“I nderuar Z. Domenik, ndihem e privilegjuar që sot më jepet rasti t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë dhe nderimin më te madh, të stafit, prindërve, por dhe shumë e shumë shqipëtarëve për atë çfarë ju filluat të bëni pikërisht në momentet më të vështira të egzistencës së tyre.Një numër jo i vogël fëmijësh, të sëmurë e të pa shpresë për jetën, sot jetojnë mes dashurisë familjare, falë xhenerozitetit e zemrës tuaj të dhembshur.Të tjerë të pa fat, jetim apo të braktisur pa asnjë përkrahje u shkolluan e sot vazhdojnë punën në sajë të humanizmit tuaj. Ju, i dashur Domenik, I’u përkushtuat dhimbjes shqipëtare se besonit në Zot dhe se e dinit se askush nuk e çmon jetën më shumë se sa ai që e ka pare pragun e mjerimit e varfërisë. Ju si një misionar, u gjendet pa fjalë, pa bujë, pa skena pranë atyre zemrave të vogla e të vuajtura..”

Momentet më prekëse ishin ato të falenderimeve nga persona që kanë përfituar nga kontributi  i Fondacionit.

Studentja Kristi Myhedini, e cila mbaroi studimet e larta me bursë falas si rezultat i bashkëpunimit të Fondandacionit me Universitetet jo publike, e falenderoi z.Scaglione për mundësinë e arsimimit që Fondacioni i dha asaj dhe dhjetra të rinjve , duke i dhuruar në shenjë rrespekti nje penë të argjendë.

Moment shume emocionues ishte për Pranvera Begen, mamanë e Sarës, vajzës me autizëm që trajtohet në Qëndrën e Autizmit Nr.2. Ajo falenderoi z.Scaglione për mundësitë që Fondacioni ka krijuar për zhvillimin e vajzës, duke i dhuruar  një pikturë të punuar nga duart e saj, për t’i përcjellë keshtu një pjesë të botës shpritërore dhe talentit të papërsëritshëm që ajo zotëron.

Mes lotësh dhe emocionesh, z.Scalgione pasi falenderoi Dr. Liri Berishën për takimin si dhe miqtë e bashkëpuntorët e Fondacionit, tha se falë këtij humanizmi të gjithë jemi bërë më të mirë dhe se misioni duhet të vashdojë më fuqishëm. Ai këshilloi se asgjë tjetër nuk e bën njeriun më të pasur në jetë përveç se të dhuruarit dhe  për më të dobëtit. Nëse ndajmë vëmëndje për më varfrit dhe njerzit në nevojë sipas tij, atëherë do të jemi jo vetëm në paqe me veten por do ta bëjmë jetën e të tjerëve më të bukur.

Në këtë pritje e morën fjalën z. Genc Boga, përfaqësues i bordit drejtues të Fondacionit, znj. Eva Mane, përfaqësuese e biznesit, donatore të Fondacionit si dhe z. Michale Granof , drejtor i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan. Ata vlerësuan rolin e rëndësishëm të themeluesit Scaglione në ndërtimin dhe rritjen e fondacionit duke çmuar vizionin dhe kontributin e tij personal të investuar në gjithë këto vite.

“Arkitektura që shëron”

Projekti që i hap rrugë sifdës për ndërtimin e qëndrës për të rriturit me autizëm në Tiranë.

“Kush do te kujdeset për tim bir kur unë të mos jem më ?!” – Ky është mundimi dhe brenga më e madhe e përkthyesit dhe shkrimtarit të njohur Prof.Edmond Tupja për të birin e tij Gesi, I cili tashme është një djalë I rritur që vuan nga çregullimi i spektrit autik.

Ky shqetësim I pambarimtë I prof.Tupes, në fakt është I të gjithë prindërve që kanë fëmijë në spektër të cilët ende besojne se një ditë institucionet do të zgjohen e do të bëjnë diçka për përkujdesjen e tyre gjatë gjithë jetës.

Pikërisht për ti dhënë një dritë shprese të gjithë atyre familjeve, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” nën drejtimin e Dr. Liri Berishës, ka vendosur ti japë prioritet zgjidhjes së kësaj problematike nëpërmjet realizimit në vitet e ardhshme të një qëndre për të rriturit autik.

Kjo sfidë ngacmoi rastësisht sedrën profesionale të studentit shqiptar për arkitekturë në Universitetin e Firences Junik Balisha , I cili pas një sërë takimesh me prindër të fëmijëve autikë dhe stafin e dy qëndrave rajonale të autizmit, e ktheu atë në një inisiativë personale. Në përfundim të studimeve ai vendosi të mbrojë temën e diplomës me ideimin dhe projektimit e një qëndre të tillë. Dhe në fakt ja doli, madje shkëlqyer. Në Korrik Juniku u diplomua ekselent në arkitekturë me temën: “Autism-Friendly Design” – “Qëndra për të rriturit autik në Tiranë” e cila u vlerësua dhe me çmimin ‘dinjitet publikimi’.

Ky projekt I cili u bë publik edhe për ne para disa javëve, është ideuar nga Juniku nën kujdesin e dy profesorëve të Universitetit të Firences të specializuar në projektimin e strukturave shëndetësore.

Ndërtesa është mbresëlënëse. Ajo ofron mundësinë e qëndrimit të përkohshëm ose të përhershëm të të rriturve autik, kur prindërit e tyre nuk do të jenë më, ose të paaftë për tu kujdesur për të dashurit e tyre. Kjo strukturë është parashikuar të shërbejë si një qëndër ditore për 20 persona dhe si një qëndër rezidenciale per 20 të tjerë (limit ky i vendosur nga normativa europiane për arsye funksionale dhe menaxheriale).

Juniku godinën e ka planifikuar si një ndërtesë shumë pranë Qëndrës Rajonale për Autizmin në Farkë me qëllim krijimin e një kampusi të vogël dhe përfitimin nga funksionet e përbashkëta. Ky projekt, ashtu siç thotë edhe Juniku, ofron një ambient terapeutik që promovon shëndetin dhe dinjitetin e personave autik. Ndërtesa është planifikuar të ketë impakt sa më minimal në mjedisin përreth ndersa struktura ka karakter familjar dhe I rri larg remineshencave të qëndrave shëndetësore. Arkitektura e ndërtesës ofron mundësinë e integrimit të këtyre personave në shoqëri; Me një kopësht të brendshëm në qëndër të ndërtesës, arkitekti ka planifikuar ambjente të përbashkëta si sallë të madhe ngrënie, një guzhinë terapeutike, një sallon dhe një salle TV si dhe një bibliotekë të vogël.

Pjesa rezidenciale është e organizuar në pesë njësi banimi, ku secila prej tyre mirëpret katër persona të rritur autik dhe një pjesëtar nga stafi. Në projektimin e banesave është patur parasysh fakti që cdo person duhet të ndihej komod, të kishte mundësi të zgjidhte aktivitetet e preferuara dhe shoqërimin me të tjerë sipas nevojave personale.Në projekt janë parashikuar dhoma gjumi teke, të pajisura me banjo personale, me qëllim që të favorizojnë asistencën e përditshme nga personeli dhe të mundësojnë personalizimin e hapësirave në bazë të nevojave specifike të gjithësecilit.

E veçanta e këtij projekti qëndron tek planifikimi I një laboratori qeramike, një super ide nga arkitekti Junik Balisha. Propozimi i një aktiviteti të tillë lidhet me traditën e zonës së Farkës në përpunimin e qeramikës dhe prodhimin e tavave të dheut. Duke dashur të shfrytëzojë eksperiencën e artizanëve të zonës, për të vazhduar traditën, por mbi të gjitha për t’ju ofruar një mundësi punësimi dhe integrimi këtyre të rinjëve me autizëm.

Është e qartë që një strukturë e tillë e vetme nuk i jep zgjidhje problemit të realitetit shqiptar, por siç thotë edhe vetë studenti për doktoraturë në arkitekturë në Universitetin e Firences Junik Balisha, mund të jetë një hap i rëndësishem në kompletimin e rrjetit të shërbimeve dedikuar personave autik.

Në përballjen me Autizmin Juniku, ndonëse i vetëdijshëm për atë çfarë përfaqëson ky spektër, zgjodhi edhe slloganin “Arkitektura që shëron”. Ai mendon se vlerat e një arkitekture pasqyrohen shumë përtej mureve të saj, ato reflektohen në jetën e personave dhe komuniteteve. Mundësia për ti bërë personat autik të ndjehen mirë, për ti bërë pjësë të kësaj bote, për të lehtësuar sadopak brengën dhe peshën e familjarëve të tyre, është ndoshta mundësia më e mirë për të shëruar një plagë të shoqërisë.