Si të ndihmojmë fëmijët me Çrregullimin e Spektrit të Autizmit të menaxhojnë COVID-19 dhe maskat?

Pandemia e COVID-19, na ka përballur me sfida të reja të panjohura më parë për ne. Vështirësia e menaxhimit të saj siç duhet është e vështirë për të gjithë, por veçanërisht edhe për fëmijët që kanë çrregullime të ndryshme të zhvillimit dhe akoma më shumë për fëmijët me ASD.
Sfidat e mbajtjes së maskës:


Shumë fëmijë me ASD janë hipersensitivë ndaj prekjes dhe fytyra është një zonë po ashtu shumë sensitive që kërkon kujdes për tu prekur nga të tjerët. Vendosja dhe mbajtja e një maske përfshin disa ndjeshmëri jo të këndëshme për këta fëmijë. Çdo element përbërës i saj mund të përbëjë problem apo vështirësi në mbajtjen e saj, nisur që nga materiali i vet maskës i cili mund të shkaktojë kruajtje dhe acarime të lëkurës dhe deri tek rripat elastik që vendosen pas veshit. Ndjesitë që krijohen edhe poshtë maskës, vështirësia për të marrë frymë normalisht apo nxehtësia që ajo prodhon, janë sërisht shumë të vështira për tu përballuar siç duhet nga të gjithë individët, por veçanërisht nga ata me këtë çrregullim.


Krahas këtyre ndjesive sensore jo fort të këndëshme, janë edhe barrierat e komunikimit, të cilat amplifikohen më shumë tek këta fëmijë apo të rritur që kanë këtë çrregullim. Çrregullimi i autizmit përfshin edhe aftësi jo të mira vizuale, duke bërë që ata të mos kenë mundësinë të lexojnë shprehjet faciale tek personat që kanë përballë dhe po komunikojnë me ta. Në kushtet kur të gjithë janë të pajisur me maska, e vetmja shqisë e cila dominon janë sytë dhe kontakti me to, por një vështirësi e përgjithshme e këtij çrregullimi është pikërisht edhe kontakti jo cilësor me sy që ata vendosin. Kështu që vështirësia vazhdon dhe rritet për këta fëmijë. Të gjithë faktorët e lartpërmendur mund të çojnë drejt frustrimit dhe keq-komunikimit. Megjithatë, fatmirësisht ka disa strategji të cilat mund ti ndihmojnë për ta menaxhuar më mirë këtë situatë.


Çfarë mund të bëjmë?
• Mund të demostrojmë vendosjen e maskës tek një person apo objekt i dashur për këta fëmijë, siç mund të jenë, kukullat prej pellushi, një pjestar i familjes me të cilin ata janë më shumë të lidhur, etj.
• Duhet të lejojmë fëmijën që të ketë mundësinë të zgjedhë mes llojeve të ndryshme maskash si në material ashtu edhe në paraqitjen që ato kanë.
• Fillojmë përdorimin e maskës gradualisht, duke ja dhënë fëmijës ta mbajë për disa minuta gjatë ditës, duke e lejuar ta heqe që të bëjë pushimin që kërkon dhe më pas ti vendoset prap. Kjo gjë kontrrollohet duke rritur gradualisht gjithmonë e më shumë kohën që fëmija duhet të mbajë maskën gjatë ditës.
• Planifikoni të dilni në ambiente të qeta dhe që kanë hapësira të mëdha në mënyrë që dhe fëmija të ndihet i suksesshëm në mbajtjen e maskës dhe të ketë mundësinë të bëj pushime të vogla mes kohës që i duhet ta mbajë jashtë.
• Përdorni një foto të printuar të një indivi i cili ka vendosur maskën dhe vendoseni atë tek dera, në mënyrë që të shërbejë si një e dhënë se sapo dalim nga shtëpia duhet të vendosim maskën. Këtë foto mund ta përdorni edhe në ambientet jashtë shtëpisë kur i kërkoni që fëmija të vendosë sërisht maskën.
• Jepini një çumçakiz ose një karamele me shije të këndëshme sapo të vëndosë maskën, në mënyrë që të ketë një shpërqëndrues në gojë dhe që aroma e gojës të jetë e këndshme dhe të mos ta bezdisë kur ka vendosur maskën.
Shpresojmë që këto strategji tju ndihmojnë në këtë sfidë të re dhe të vështirë për të gjithë ne.