Festa e fundvitit me fëmijët talasemikë në Lushnje.
Sot, stafi i Fondacionit Fëmijët Shqiptarë udhëtoi drejt Lushnjes dhe u takua me fëmijët që marrin shërbim në Qendrën e Hemoglobinopative për të shkëmbyer urimet e festave të fundvitit dhe për të shpërndarë dhuratat të cilat këtë vit u mundësuan falë znj.Enis Muka. Drejtuesja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Dr.Liri Berisha në mesazhin e përcjellë për prindërit dhe fëmijët që u mblodhën në një ambjent festiv, ndryshe nga ajo çka ofron e përditshmja e kësaj qendre, u shpreh se vëmëndja ndaj problemve të tyre nuk duhet shkëputur asnjë herë. Ajo theksoi:
“Ka qënë një vit i vështirë për të gjithë ne ky që po mbyllim. Problemet e shoqërisë tonë u shtuan edhe më shumë pas tërmetit të fortë që kaluam. Shumë të pastrehë dhe shumë lëndime. E në këto kushte duket sikur vëmëndja nga hallet që kishim dhe problemet e përherhshme shëndetësore zhvendoset pa kthim.Në fakt nuk duhet të jetë kështu. Ndaj jush nuk duhet të ketë në asnjë moment shkëputje të vëmëndjes, të shërbimeve dhe mbi të gjitha të solidaritetit për të dhuruar gjak. Muret e indiferencës mes atyre që kanë mirëqënie e shëndet duhet të bien e të shohin nga ju.
Këtë vit nga komuniteti juaj u nda nga jeta një njeri shumë i dashur, shumë i vëmëndshëm dhe shumë i kujdesshëm ndaj halleve dhe problemeve tuaja shëndetësore. Nga të gjithë Musa Zeneli, kryetari i Shoqates Talasemikët Shqipëtarë njihej si “gjyshi i talasemikeve” dhe për ju ai ishte bërë zëdhënësi i çdo nevoje që ju kishit. Uroj që mes prindërve dhe mes vetë të rinjëve, të tjerë zëra si ai i Musait të ketë e të dëgjohen në mënyrë të tillë që nevojat dhe problemet tuaja të përcillen e të merren parasysh.
Falenderoj shumë stafin që me aq përkushtim u shërben .
Uroj shumë që ky vit të mos ketë sjellë më bebe të reja me sëmundjen e talasemisë.
Ju uroj një vit të shëndetshëm e mbi të gjitha mjaftushmerisht zemëegjerë me nevojat tuaja!”
Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!