Samiti për Paqen nderon Dr.Liri Berishën me çmimin “Gratë e virtytshme”.
Në kuadër të Samitit për paqen në Europën Juglindore që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, Rrjeti global i grave për paqen në botë, nderoi Dr.Liri Berishën me çmimin “Gratë e virtytshme”.
Ky çmim, ju dha Dr. Liri Berishës në shenjë vlerësimi për kontributin e veçantë dhe të çmuar në ndërtimin e kulturës së paqes në botë. Sipas organizatorëve, gra si znj. Berisha , kanë vendosur zemrën dhe shpirtin për hir të të tjerëve, i kanë dedikuar jetën e tyre për hir të fëmijëve dhe njerëzve të cilët kanë kaluar vështirësi dhe vuajtje, të cilat një njeri nuk i imagjinon dot.
Presidentja dhe organizuesit e takimit u shprehën se janë mahnitur nga qendra rajonale për Autizmin dhe punën që bëhej aty me shërbimet që ofroheshin e ku shumë fëmijë përfitonin nga shërbimet terapeutike për autizmin.
Dr.Liri Berisha, e nderuar për vlerësimin e rrallë dhe të jashtëzakonshëm, falenderoi drejtuesit e këtij organizmi dhe ndër të tjera u shpreh se këtë cmim e përkthen në më shumë misione në të të ardhmen për fëmijët e sëmurë dhe në nevojë.
Ndër të tjera ajo u shpreh: “të kontribuosh në jetët e femijëve me probleme shendetësore ke kontribuar në paqen shpirtërore të vatrave familjare.Ne gratë jemi forca më e madhe e kurajos njerëzore dhe gjerdanet që na rrinë më bukur janë ai i mëmësisë dhe ai i dashurisë njerëzore.Nga këto misone bota është berë më e paqtë dhe më e bukur. Unë uroj jo vetëm si nënë e si grua, por dhe si mjeke, që mesazhet e nenave në mbarë botën për fëmijët e tyre në vështirësi e në nevojë të degjohen, vlerësohen, dhe mbështeten pasi vetëm keshtu shpirti dhe bota do gjejnë paqen, dhe paqja siç thotë Nënë Tereza, fillon me një buzëqeshje”
Me këtë çmim, të cilin shumë pak gra në botë e kanë marrë deri më tani, u nderua edhe Dr.Feride Rushiti, themeluese dhe drejtuese ekzekutive e Qendrës për rehabilitmin e viktimave të torturës në Kosoë, një nga aktivistet e para në këtë vend.
Çmimi u shoqërua edhe me një vlerë monetare në shumën 1000 Euro për llogari të Fondacionit fëmijët Shqiptar.