Unë jam një kokërr Bizele – nga Preveza Zeka
Dëgjoj një zë të njohur, një Zë që vjen më zgjon çdo mëngjes… e nuk më bëhet t’i përgjigjem. Mëngjesi më pëlqen, më pëlqen se ka diell e dielli do të thotë ditë e re. Ditë e re do të thotë që do të vendos sipas rradhës e në vendin e tyre kubat, topat, piramidat … sepse kur ikën dielli, Zëri më që zgjon në mëngjes m’i bën të gjitha bashkë, në një vend.
Zërit I pëlqen shumë ta shikoj në sy, të rri me të, t’i flas e t’i tregoj për gjërat që bëj…por mua më bezdis, nuk dua të bëj gjërat që më thonë. Shkoj tek format e mia dhe aty jam mirë, jam aty ku dua.
Dëgjova Zërin të fliste në atë që I thonë telefon. Fliste me një zë tjetër e në fund I tha: “Patjetër, do jemi aty nesër , bashkë me Ertin”. Ja kshtu më thërret Zëri çdo mëngjes, Erti.
Nuk dua të shkoj me Zërin por ajo prapë më merr me vete.Hipim në makinë e mua më pëlqen shumë makina. Ajo lëviz e më çon diku pa mu dashur mua të lëviz. Doreza e makinës më pëlqen shumë dhe ja ngul sytë gjithë rrugës.
Kësaj rradhe makina na çoi në një vend që s’kisha qënë më parë. Ishte një Kub gjigand I bardhë dhe mua më pëlqejnë shumë kubat dhe format.Nuk e kundërshtoj shumë Zërin dhe zbres nga makina. Futa duart në xhepat e pantallonave dhe ndoqa Zërin.U futëm brenda dhe ishin një tufë me teta që vetëm buzëqeshnin . Ia u hodha një moment sytë dhe vashdova me duar në xhepa e me sytë poshtë , njësoj sikur të më vinte turp nga diçka. Zëri më ndjek nga pas shpeshherë, më thotë se më do shumë e se do kujdeset për mua. Nuk e kuptoj dot pse, unë jam shumë mirë.
Shkojmë te zyra e njërës nga ato tetat dhe ajo fillon e më pyet , më tregon disa forma e disa vizatime e pret përgjigje nga unë. Kryqëzova duart para meje dhe hodha sytë nga dritarja. Pastaj fillon e flet me Zërin, nuk I dëgjoj për çfarë. Më sjell përpara një grumbull me forma druri.
Tani po kuptohemi teta me përparëse të bardhë !
Fillova t’i ndaj , ashtu siç bëj çdo mëngjes dhe isha aty ku duhet të isha, me format e mia.
“Hajde Erti, do ikim” – më thotë zëri. Nuk u çova deri sa përfundova format dhe me duart në xhepa eca përpara .Kur po dilja , përballë meje vjen një djalë, pak më I gjatë se unë…po bërtiste, po më ngjallte frikë dhe dëshirë (ndoshta) për tu “fshehur “mbrapa Zërit. Ikim . Makina po lëviz prap dhe do më çojë në shtëpi.
Mëngjes prapë. Zëri prap. Makina prap. Kubi gjigand prap. Kjo zgjati për një kohë të gjatë . Zëri dhe unë rrinim më shumë te kubi dhe filluam të kolonim dhe drekat aty. Ato tetat bënin supë shumë të mirë, mua më pëlqente dhe një ditë e mbusha pjatën prapë. E dëgjoja Zërin të më thoshte se ishte shumë e lumtur për përparimin tim. Përparim? Çfarë është kjo fjalë? Për çfarë shërben?
Mëngjeset e drekat tek Kubi I madh u bënë të përditshme dhe po mësohem me këtë gjë. Sot paskam ditëlindjen ! Zëri ka marrë me vete tortë, tollumbace , letra me ngjyra.Tetat tek kubi si gjithmonë më presin me buzëqeshje e sot duan të më puthin në faqe. Po prisni, çbëni kështu? Nuk dua të më puthë njeri, as Zërin nuk e lejoj.
Tetën me përparëse të bardhë u mësova ta kem çdo mëngjes me diell timin, por tani këto mëngjese janë ndryshe. Shumë gjëra tek unë , sjellje, veprime kanë ndryshuar e janë përmirësuar. Tani I lejoj të gjithë të më përkëdhelin , të më lyejnë hundën me tortë pas kaq shumë ditëlindjesh të kaluara këtu tek kubi gjigand…që në fakt nuk është kub , por një qëndër për fëmijë, teta me përparëse të bardhë është doktoresha dhe Zëri…ah Zëri, është Mami.
Dëgjoj mamin , mamin që më zgjon çdo mëngjes e tani I përgjigjem Mëngjesi më pëlqen se ka diell, e diell do të thotë ditë e re. Ditë e re do të thotë që të vendos sipas rradhës e në vendin e tyre kubat, topa, piramidat…sepse kur ikën dielli, bashkë me mamin që më zgjon çdo mëngjes, I bëjmë të gjitha bashkë, në një vend.Unë nuk jam kokëuluri me duar në xhep, Jam Erti… një kokërr bizele.
P.S.
“Unë Jam Një Kokërr Bizele” me autore ish studenten Preveza Zeka, është punimi që ka fituar çmimin e parë në kuadër të projektit “Media dhe Aftësia e Kufizuar”, zbatuar në vitin 2015 nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, mbështetur nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së ShBA në Tiranë.
Ky punim u vlerësua nga një juri profesionistësh si më I arriri për përmbajtjen dhe mënyrën e trajtimit të çështjes së çregullimit të spektrit Autik.
Sot autorja e këtij punimi Preveza Zeka e kujton si një nga eksperiencat më të bukura të viteve të saj universitare. Për Prevezën, të shkruash për një temë e cila është shumë e ndjeshme dhë afërt njëkohësisht për të dhe të shpërblehesh me fjalë mirënjohjeje, siç ështe dhënia e çmimit të parë, është ndjesia më e bukur që mund të përjetohet.
Fondacioni Fëmijët Shqiptarë e sjell për të gjithë lexuesit e kësaj faqeje këtë punim të ndjerë dhe emocionues që zbërthen bukur botën e një fëmije me çregullim të spektrit autik, për ta parë këtë botë ashtu siç duhet dhe për të mos humbur kurrë shpresat së një ditë ajo do të jetë e hapur dhe komuniku