Me hidhërim të thellë ndajmë me ju largimin nga jeta në moshën 88 vjeçare të themeluesit të Fondacionit Fëmijët Shqiptarë z.Domenick Scaglione. z.Scaglione që jetonte në New York, u shua si pasoje e një sëmundje të rëndë në mushkri.
Fondacioni Fëmijët Shqiptarë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes së tij, 6 fëmijëve dhe dashamirësve të tij për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur por edhe një miku shumë të vyer të shqiptarëve.
Ishte viti 1994 kur Domenick Scaglione, nje qytetar amerikan me shpirt të gjerë human, aso kohe kryetar i Fondit Shqiptaro-Amerikan, vizitoi për herë të parë Shqiperinë. I prekur nga nevojat e ndryshme të fëmijëve që ai takoi, që nga ato shprespakta shëndetësore e deri tek ato sociale në kufijtë e mbijetesës, në vitin 1996 , krijoi me fondet e tij Fondacionin Fëmijët Shqiptarë në Tiranë si dhe Fondin e fëmijëve Shqiptarë në New York.
Falë punës dhe vizionit të z.Domenick Scaglione, gjatë 10 viteve të para të punës së Fondacionit Fëmijët Shjqiptarë u bënë të mundura: ngritja e Qendrës së Kërkimeve Genetike dhe Diagnostikimit Molekular në Tiranë për depistimin e bartësve të genit talasemik në popullatën shqiptare, trajtimi i mjaft rasteve urgjente mjeksore nëpër klinika të specializuara në botë, mbështetja për shtëpitë e fëmijëve, mbështetja me materiale të shumë fëmijëve në nevojë etj.
Z.Domenick Scaglione do të mbahet mend për kontributin dhe humanizmin e tij ndaj shëndetit dhe mirëqënies së fëmijëve dhe familjeve shqiptare në nevojë, për përkushtimin e jashtëzakonshëm të treguar ndaj popullit dhe demokracisë shqiptare si dhe për angazhimin e përhershëm në zhvillimin e ekonomisë shqiptare nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Z.Scaglione është nderuar me urdhrin e larte “Nënë Tereza” nga presidenti Mejdani si dhe me Urdhërin “Gjergj Kastriot Skenderbeu” nga presidenti I Republikes Bujar Nishani .
Vizionari Scaglione shprehej shpesh që ndihma ndaj fëmijëve në nevojë nuk janë disa sende materiale, por investimi për të ardhmen e tyre. Fondacioni Fëmijët Shqiptarë, ashtu si edhe në këto vite, do të të vashdojë të drejtojë me të njëjtën filozofi dhe dashuri misionin e ngritur prej tij.
Mirënjohje dhe nderim përjetë z.Scaglione .