Shenjtërimi, Nënë Tereza dhe martiri polak Janusz Korczak përkujtohen në takimin “Së bashku në emër të dashurisë.”
Vlerat e paçmueshme të vullnetarizmit, bamirësisë dhe punës së kryer në dobi të njerëzve nga e madhja Nënë Tereza dhe martirit polak të të drejtave të fëmijëve Dr.Janusz Korczak, bënë bashkë Fondacionin Fëmijët Shqiptare, Ambasadën Polake dhe Avokatin e Popullit. Me Inisiativën e këtij të fundit, takimi promovues i këtyre vlerave që mbajti emrin “Së bashku në emër të dashurisë” solli një ekspozitë me historitë e jetës së këtyre dy bamirësve si dhe mesazhe e thëna prej tyre rreth fëmijëve.
Dr.Liri Berisha, në emër të Fondacionit Fëmijët Shqiptare, solli të freskëta disa kujtime nga bisedat e saj me Nënë Terezën duke e vënë theksin tek mesazhet e forta që ka ndjerë dhe ka marrë prej saj sa herë e ka takuar.
“Nënë Tereza është një model që duhet ndjekur nga të gjithë. Nëse ne të gjithë do të bëjmë diçka te vogël siç ajo e ka bërë me shumë dashuri, bota do të jetë më e mirë, më e bukur dhe më e dashur. Kam patur fatin ta takoj disa herë Nënë Terezën dhe në çdo takim kam patur të njëjtat emocione.Kërkoja nga vetja të mos me shpëtonte asgjë prej saj. Çdo shprehje dhe çdo fjalë e saj ishte për tu mbajtur mënd. Ajo ishte simbol i mirësisë dhe vetësakrifikimit. Asnjë njeri sot nuk e bën dot punën e saj.Nuk e di se pas sa shekujsh do i dalë këtij rruzulli tokësor një Nënë Trezë sepse ajo në themel të punës së saj kishte dashurinë pa limite, luftën kundër urisë dhe braktisjes si dhe mosdiskriminin ndaj fëmijëve të dobët e të pambrojtur”- u shpreh Dr.Liri Berisha.
Figura e martirit polak për të drejtat e fëmijëve Janusz Korczak është përmëndur për herë të parë në Seminarin Rajonal për të drejtat e fëmijëve në Maj të vitit 2012, që u mbështet fort nga drejtuesja e Fondacionit Fëmijët Shqiptar Dr. Liri Berisha.
Tirana u përzgjodh në atë kohë përkrah tetë qyteteve më të njohura në botë, për të promovuar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nën mësimin e humanistit të madh polak Janusz Korczak. Idetë e Korczakut, ndryshe nga teoritë e edukimit të kohës së tij, bënë të njohur se lidhja me fëmijët duhej të drejtohej nga dialogu. Ai këshillonte se duhet t’i dëgjosh shumë fëmijët, pastaj duhet të flasësh me ta për arsyet pse veprojnë dhe nevojat. Dëgjimi i mirë i problemit të tyre bën edhe zgjidhjen.
Pjesëmarrës në veprimtari ishin edhe përfaqësues nga UNICEF, shoqatat pwr mbrojtjen e femijeve , Komisioneri Anti-Diskriminimit si dhe Kisha Katolike.