Kombëtarja shqiptare I bashkohet fushatës ndërgjegjësuese për Autizmin.
Në prag të ditës ndërkombëtare të Autizmit, futbollistët e përfaqësueses Kombëtare të futbollit i janë bashkuar kauzës ndërgjegjësuese të fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” për më shumë mbështetje dhe integrim ndaj fëmijëve dhe individëve që jetojnë më çrregullim të spektrit autik. Të kryesuar nga zv.presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Edvin Libohova, sekretari i FSHF-së Ilir Shulku si edhe nga trajneri i skuadrës kombëtare Christian Panuçi, lojtarët kanë zbritur në Qendrën Rajonale për Autizmin në Farkë, ku janë pritur nga presidentja e fondacionit, Dr.Liri Berisha, si dhe janë takuar me fëmijët që marrin terapi aty, si edhe me prindërit e tyre. Djemtë e Kombëtares, pasi panë nga afër ambientet ku ata marrin shërbime, improvizuan një ndjeshje të shpejtë futbolli me ata më të rriturit, por edhe shkëmbyen fanellat e kombëtares me ato të fondacionit.
Presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqipëtarë”, Dr. Liri Berisha, pasi falënderoi FSHF-në për këtë mesazh të fortë mbështes ndaj kauzës së autizmit, i cilësoi djemtë e Kombëtares si ambasadorët më të mirë të Kombit në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përhapjen e humanizmit ndaj fëmijëve më aftësi të kufizuara. Sipas zonjës Berisha, ardhja e skuadrës kombëtare në këtë qendër ishte një mbështetje e fortë për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar opinionin për autizmin.
“Sporti ka qënë gjithmonë frymëzim për inisiativa dhe aktivitete humanitare. Kjo sot shumëfishohet pasi ju jeni ambasadorët dhe njerzit më të dashur të këtij kombi. Kombëtarja është e dashur për të gjithë brezat , nga këta fëmijë të vegjël e deri tek më të rriturit.Ardhja juaj sot këtu është një mbështetje shumë e madhe ndaj një fenomeni që nuk njihet dhe është enigëm siç është Autizmi. Ardhja juaj është besim, shpresë, krenari dhe një kurajo e madhe për prindërit që vuajnë gjithë jetën autizmin me këta fëmijë.Nga ana tjetër është edhe një vëmëndje e shoqërisë për të kthyer kokën nga kjo dhimbje.Ky është aktiviteti më emocionues që ka patur ndodnjëherë kjo qendër”.
Zv.presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit z.Edvin Libohova, duke përshëndetur misionin e përkushtuar të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” në fushën e autizmit, tha se sporti u ka dhënë gjithmonë zë mesazheve për më shumë humanizëm dhe mbështetje ndaj personave në nevoje.
“Jam shumë i nderuar që i bashkohem sot këtij sensibilizimi. E vlerësoj shumë misionin mbështetës të Fondacionit ”Fëmijët Shqiptarë” ndaj këtij ç’rregullimi dhe bëhemi pjesë e zbutjes së kësaj dhimbjeje. Ne do të jemi sërish këtu edhe me skuadra e nisma të tjera”.
Trajneri i Kombëtares, Christian Panuçi, e vlerësoi si shumë të nevojshme vendosjen e sportit në funksion të rritjes së ndërgjegjësimit ndaj kauzave që prekin njerëzit në nevojë dhe theksoi në mesazhin e tij, për më shumë angazhim dhe vëmendje karshi këtyre fëmijëve.
“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu përpara këtyre fëmijëve të mrekullueshëm për të përshëndetur ata dhe prindërit e tyre. Jemi Ekipi Kombëtar dhe një lëvizje shumë e rëndësishme, por në radhë të parë jemi njerëz dhe jemi prindër. Në shpresojmë që mund t’u japim këtyre fëmijëve një buzëqeshje sot, por edhe një shpresë. Në emër të Presidentit të FSHF-së, z.Armand Duka, që për një impenjim pune nuk është sot këtu, dua të përcjell mesazhin për të qenë sa më afër këtyre fëmijëve. Ne i bashkohemi thirrjes për ndërgjegjësim ndaj autizmit. Ky është një ç’rregullim i dhimbshëm që krijon plagë në shoqëri dhe kërkon vëmëndje dhe përkushtim nga e gjithë shoqëria, por edhe fonde konkrete në drejtim të këtyre fëmijëve. Sporti ka treguar se është gjithmonë në mbështetje të këtyre kauzave. Jemi po kaq të nderuar dhe të vlerësuar që jemi ftuar nga fondacioni juaj mes këtij grupi fëmijësh fantastikë”.
Pas një loje të improvizuar mes fëmijëve dhe futbollistëve, djemtë e Kombëtares dhe stafi i fondacionit thirrën njëzëri “Ndriço Blu për Autizmin”, veprim symbol ky që rrit vetëdijen e publikut dhe atë shtetërore për më shumë vëmendje dhe mbështetje ndaj individëve të prekur nga ky çrregullim. Në fund një foto e përbashkët e një takimi jashtëzakonisht afeksionues mes fëmijëve që trajtohen nga autizmi. Një moment i mrekullueshëm që do të mbahet mend gjatë, pasi këta fëmijë kanë nevojë për gjithçka.