Unë jam ngacmuar dhe tallur në pjesën më të madhe të fëmijërisë time, por tani jam një shkrimtar.

Ky postim është nga Khali Raymond i cili jeton në Newark, në New Jersey. Khali është një autor, një poet dhe një artist. Që fëmijë, ai u diagnostikua me Asperger. Ai po e ndan historinë e tij me të tjerët për t’i frymëzuar ata dhe për të hedhur dritë mbi eksperiencat e vështira e të errëta në jetën e tyre.

Të jetosh me Asperger nuk është e lehtë. Imagjinoni veten në një dhomë plot njerëz. Të gjithë këta njerëz janë duke qeshur dhe duke u shoqëruar me njëri-tjetrin, por ju nuk jeni. Ju jeni ulur atje në qoshe i vetëm, duke parë që të gjithë shoqërohen me njëri-tjetrin. Askush nuk e dallon që jeni atje. Ju keni probleme të shprehni veten sepse nuk dini si ta bëni. Frika juaj për t’u refuzuar dhe ndjesia se jeni i papërshtatshëm, ju shoqëron gjithmonë. Ndërsa jetoni me këtë çrregullim, ata përreth jush nuk mund ta kuptojnë dhimbjen tuaj. Ju vazhdimisht ndjeni mërzi dhe zemërim. Ju duket sikur kjo gjë ju tërheq në një humnerë, një humnerë që të çon në një pikë pa kthim.
Unë e kam përjetuar këtë ndjenjë. Duke u rritur, unë kurrë nuk munda të përshtatem me të tjerët. Që fëmijë, nuk munda të shihja një të rritur në sy. Nuk ishte vetëm pjesa që nuk mundja të shihja dikë tjetër në sy, që më bëri të ndihesha shumë i parehatshëm. Në situata shoqërore, zemra ime rrihte shumë shpejt dhe bëhesha shumë nervoz. Unë isha ai që lihesha jashtë, sepse unë nuk mund të merresha vesh me fëmijët e tjerë. Unë isha gjithashtu shpesh here i ngacmuar nga të tjerët. Fëmijët talleshin me mua për mënyrën sesi flisja, ecja dhe shikoja. Kur i’u përgjigjesha pyetjeve në klasë, fëmijët më nënvlersonin.

As familja ime nuk e kuptonte Aspergerin tim. Unë u përpoqa të kërkoj ndihmë, por ato nuk më dëgjonin. Kjo gjë më bëri të ndihesha edhe më keq, gati në depresion. Ngacmimet në shkollë u bënë aq të shumta e të rënda saqë unë në moshën 11 vjecare, tentova të vetvritesha. Isha duke u hedhur nga dritarja e dhomës time, por ishte nëna ime që më ndaloi ta bëja. Pas kësaj, të shkruarit u bë mjeti i komunikimit për mua. Më pëlqen shumë të shkruaj. Kur isha në klasë, isha i pari që ngrihesha në mësim dhe ndaja me të tjerët, atë cfarë kisha shkruar. Mësueset e mia u mahnitën nga mënyra se si unë shkruaja. Por, kjo nuk tregonte për pasigurite e mia, vetvlerësimin tim të ulët dhe paaftësinë time për tu bërë protektiv i vetes në situata të ndryshme sociale. Fëmijët mund të me thërrisnin me emra të ndryshëm të shëmtuar, si i vonuar, budalla apo dhe me të tjerë.
Kam humbur babain kur isha vetëm 1 vjec, dhe kjo gjë ka ndikuar shumë në mënyrën se si unë jam rritur. Si një njeri me ngjyrë, të rritesh pa një baba nuk ishte e lehtë. Babai im ishte një njeri që e donin të gjithë, ai ishte shumë i shoqërueshëm. Të gjithë më thonin se i ngjaja shumë, por unë jam shumë ndryshe nga ai, unë jam e kundërta e tij. Unë nuk jam i shoqërueshëm si ai, jam i mbyllur dhe i turpshëm.
Ngacmimet vazhduan dhe në vitet e adoleshencës. Në moshën 14 vjecare, u shtrova në një spital per çrregullime mendore. Ata për një farë kohe më jepnin medikamente, por në vitin 2013 unë ndalova t’i merrja ato. Sapo shkova në shkollën e mesme, fillova t’i humbas shpresat, mendoja se nuk kishte një vend për një njeri si unë. E mbajta këtë barrë të madhe gjatë gjithë kohës. Askush nuk e kuptonte se çfarë unë kisha dhe se çfarë kisha kaluar. Por, nuk ndalova së shkruari, e lejova artin të ndikonte tek unë. Të shkruarit ishte arratisja ime e vetme. Ishte vendi ku asnjë s’më gjykonte apo ngacmonte. Pa kuptuar, kjo arratisje në të shkruar, më bëri që të shkruaj librin tim të parë në moshën 15 vjeç. Më 26 tetor të 2014 unë publikova “ Ballad of Sidney Hill”. Ky libër më tregoi se sa unë isha maturuar.
Kjo ishte prova që nuk e lejova Asperger-i që të më mposhte mua. Ata më thanë që nuk do mundesha të funksionoja kur të isha në shkollën e mesme, por të gjithë ata specialistë u gabuan. Deri tani, kam shkruar 40 libra. Tani jam në kolegjin Berkeley në Newark, New Jersey. Kam një mesazh për te gjithë ju: Mos lejoni kurrë rrethanat të përcaktojnë atë që ju jeni. Ju mund të jeni gjithcka që dëshironi!

Pershtati /Renata Gjasta
Burimi:www.autismspeaks.org/blog/2017/11/15/i-was-bullied-most-my-childhood-now-im-published-author