2 Prill 2017 – Kukësi , Kosova dhe Maqedonia me Qendër të Re për Autizmin.
Fondacioni Fëmijët Shqiptarë dhe Agjencia Turke TIKA investime për kompletimin e Qendrës Sociale në Kukës.
Një vit më parë Fondacioni Fëmijët Shqiptarë dhe Agjencia Turke për Zhvillim (TIKA), u angazhuan për kompletimin dhe vënien në punë të Qendrës Sociale në Kukës, me qëllim që fëmijët jo vetëm të Kukësit por edhe të Kosovës e Maqedonisë të kishin një qëndër me standarte për terapinë ndaj çrregullimit të spektrit autik.
Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë Dr.Liri Berisha , në nje vizitë të zhvilluar në 2 Shkurt 2017 në Kukës, pasi pa ambjentet e rikonstruktuara të qendrës , tha se përfundimi i punimeve është një lajm i mrekullueshëm. Paralelisht me këtë proces, fondacioni ka trajnuar në Tiranë stafin që do shërbejnë me terapi të ndryshme fëmijët jo vetëm të qytetit të Kukësit por të gjitha trevave të Kosovës. Dr.Liri Berisha falenderoi angazhimin e kryebashkiakut tē Kukësit në këtë projekt madhor duke e cilësuar atë jo vetëm angazhim zyrtar por edhe shpirtëror.
Në takimin e organizuar në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Kukësit Bashkim Shehu me Presidenten e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Dr.Liri Berisha dhe Drejtorin e Agjensisë Turke për Zhvillim-TIKA, Eyup Yavuz Umutlu, u diskutua për ndihmën dhe mbështetjen e dy institucioneve për arredimin, kompletimin dhe vënien në punë të Qendrës Sociale Kukës, tashmë të rikonstruktuar .
Drejtori i TIKA-s, pasi vizitoi qendrën dhe u njoh me nevojat e saj për ta bërë sa më funksionale, garantoi mbështetjen e plotë për mobilimin dhe paisjen me mjete në bashkëpunim me Fondacionin Fëmijët Shqiptarë. Palët u shprehën të kënaqura nga puna e bërë për rikonstruksionin e qendrës, duke i ndryshuar tërësisht pamjen, në funksion të fëmijëve autikë dhe shërbimeve të tjera ndaj të moshuarve dhe grave e vajzave të dhunuara e të perfshira në trafikun e qenieve njerëzore.
Falë mbështetjes nga Qeveria Zvicerane përmes DLDP, kjo qendër është e gatshme për të nisur nga puna me pajisjet dhe mjetet e tjera të nevojshme. Duke marrë në konsideratë punën që duhet për sigurimin e bazës materiale dhe arredimin e plotë të qendrës, data 2 prill është paracaktuar si dita e hapjes së saj, ditë që përkon edhe me ditën Ndërkombëtare të Autizmit.
Kryetari i Bashkisë, Shehu falënderoi Fondacionin për mbështetjen dhe gadishmërinë e treguar në funksion të qendrës, ndërkohë që një falënderim të veçantë bëri edhe për bashkëfinancuesit e këtij projekti, DLDP dhe Qeverinë Zvicerane, duke garantuar njëkohësisht bashkëpunimin e mëtejshëm për qëndrueshmërinë e këtij projekti mjaft të rëndësishëm, i cili do të jetë në funksion jo vetëm të Kukësit.