Bosnje: Fondacioni firmos Platformën Gjithpërfshirëse të Ballkanit.


Sarajevë: Fondacioni Fëmijët Shqiptarë nënshkruan protokollin e angazhimeve të Platformës Gjithpërfshirëse të Ballkanit.

Dr. Liri Berisha nderohet me Çmimin e Mirënjohjes për kontributin ndaj personave me aftësi të kufizuar.

Fondacioni Fëmijët Shqiptarë bëhet pjesë e Platformës Gjithpërfshirëse të Ballkanit që u mbajt nën patronazhin e kryeministrit të Turqisë SH.T Z. Ahmet Davitoglu në datën 5 Maj në Sarajevë, Bosnje Hercegovinë.Kjo platformë është pjesë e Platformës Gjithpërfshirëse Botërore, e njohur ndryshe si një organizatë joqeveritare e themeluar nga universitete, OJF, qeverisje lokale dhe sektori privat me qëllim përhapjen e kulturës se gjithëpërfshirjes për personat me aftësi të kufizuara.


Në Platformën Gjithpërfshirëse të Ballkanit, marrin pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit. Ajo ka për qëllim të promovojë sa më shumë aktivitete në fushën e arsimit, kulturës, atë sociale, teknologjisë, qasjes dhe punësimit për personat me aftësi të kufizuar. Ajo synon realizimin e aktiviteteve që lehtësojnë jetën e të moshuarve, aktivitete kulturore dhe sociale për fëmijët jetim, aktivitete ndërgjegjësuese për problemet e grave në jetën shoqërore si dhe anagazhon OJF-të për të përhapur kulturën e gjithëpërfshirjes së personave me aftësi të kufizuar.
Në fillim të Konferncës së Platformës Gjithpërfshirëse për Ballkanin vendet pjesëmarrëse përfaqësuar nga organizatat më të fuqishme në fushën e aftësisë së kufizuar dhe ministra te çështjeve sociale firmosën protokollin e angzhimeve.
Në emër të Fondacionit Fëmijët Shqiptar, Dr.Liri Berisha firmosi protokollin duke shprehur angazhimin e saj personal dhe të fondacionit që drejton për përmbushjen e qëllimeve të kësaj platforme.


“Duke qënë se Fondacioni Fëmijët Shqiptar ka kontribuar në vite me ndihmë konkrete në drejtim të mbështetejes së kategorive sociale në nevojë, si personat me aftësi të kufizuar, moshat e treta, fëmijët jetim, ata romë, fëmijët e sëmurë më diagnoza të vështira , fëmijët talasemikë dhe ata me autizëm, do të vazhdojë të gjejë burime për ta mbajtur këtë mision të pandërprerë.
Për gjithëpërfshirjen fëmijëve me aftësi të kufizuar, që do të jenë brezat e së nesërmes, është e nevojshme që në të gjitha mjediset të ofrohen sherbime dhe mundësi për shanse të barabarta.Shoqëria jonë ka nevojë për punë të përditshme në emancipim me qëllim përjetësimin e vlerave të gjithëpërfshirjes në komunitet.


Përfitimet nga mjedisi gjithëpërfshirës janë të shumta. Individët me me aftësi të kufizuar duhet të rriten me të drejta të barabarta me të tjerët, Kjo u garanton atyre mundësinë e pjesëmarrjes së plotë në komunitet.Realiteti na tregon shpesh herë se ka ende shumë diskriminim dhe përjashtim, duke krijuar kështu komunitete ku fëmijët dhe të rriturit autik nuk mund të integrohen në mënyrë të sukseshme në grupet e moshatarëve të tyre”.



Gjate ceremonisë së dhënies së cmimeve Dr. Liri Berisha u vlerësua nga Zv. Presidenti i Platformes Boterore te Gjitheperfshirjes me Çmimin e mirënjohes për kontributin dhe ndihmën e dhënë ndaj personave me aftësi të kufizuar.



Po kështu Dr. Liri Berishës iu edhe çertifikata e mbjelljes së një peme në emër të saj për angazhimin në përfshirjen e këtyre personave në shoqëri. Kjo pemë mbillet në një zonë të rezervuar nga Ministria e Pylltarisë dhe çeshtjeve ujore e Turqisë, e quajtur edhe si Pylli Boteror i Gjithëpërfshirjes, ku për çdo organizatë, qeveritare apo individ i cili jep kontributin e tij në përmbushjen e qëllimeve të kësaj platforme mbillet një pemë në shenjë mirënjohjeje.